Secondary Adv

KE: Ekonomia shqiptare pritet të ngadalësohet në 2026-2027, çmimet do të rriten

Komisioni Europian parashikon një ngadalësim të ekonomisë shqiptare në vitet 2026-2027, ndërsa inflacioni pritet të rritet nga çmimet më të larta të energjisë dhe pasiguritë në Lindjen e Mesme.

Sipas raportit të fundit të pranverës të Komisionit Europian, rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë pritet të jetë 3.3% në vitet 2026 dhe 2027, më e ulët krahasuar me vitet e fundit, por ende e mbështetur nga kërkesa e brendshme, investimet dhe zgjerimi i sektorit të shërbimeve.

 

Turizmi dhe investimet mbeten motorët kryesorë

Raporti vlerëson se turizmi do të vazhdojë të mbetet një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike, megjithëse me ritme më të moderuara, ndërsa sektori po hyn gradualisht në një fazë maturimi. Investimet pritet të mbeten të forta, të mbështetura nga kreditimi, kushtet e favorshme të financimit dhe fondet që vijnë nga Instrumenti Europian për Reformën dhe Rritjen. 

 

Eksportet e shërbimeve, kryesisht ato të lidhura me turizmin, parashikohet të vijojnë zgjerimin, ndërsa eksportet e mallrave mbeten të dobëta. Kjo pritet të sjellë zgjerim gradual të deficitit të llogarisë korrente, i ndikuar edhe nga çmimet më të larta të energjisë dhe kërkesa e qëndrueshme për importe.

 

Inflacioni do të rritet në 2026

Komisioni Europian vlerëson se inflacioni do të përshpejtohet gjatë vitit 2026, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve globale të energjisë pas tensioneve në Lindjen e Mesme. Megjithatë, ndikimi i plotë i këtyre çmimeve pritet të zbutet pjesërisht nga forcimi i lekut dhe pritshmëritë më të stabilizuara për inflacionin. 

 

Inflacioni parashikohet të afrohet pranë objektivit 3% të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2026 dhe të mbetet afër këtij niveli edhe më pas. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë mbajti normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, pas uljes së bërë në korrik 2025. 

 

Mungesa e fuqisë punëtore mbetet problem

Raporti thekson se punësimi pritet të vazhdojë të rritet në vitet 2026-2027, por me ritme më të ngadalta. Emigracioni vazhdon të mbetet një faktor kufizues për tregun e punës, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore konsiderohet një nga sfidat kryesore për ekonominë shqiptare. 

 

Pavarësisht kësaj, pjesëmarrja në tregun e punës pritet të mbështetet nga rritja e pagave dhe nga perspektiva më e mirë për punësim.

 

Deficiti dhe borxhi publik

Sipas Komisionit Europian, deficiti buxhetor pritet të zgjerohet lehtë në rreth 2% të PBB-së gjatë vitit 2026, përpara se të ngushtohet sërish në vitin 2027. Ndërkohë, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së pritet të vijojë rënien, i mbështetur nga rritja nominale e ekonomisë. 

 

Në vitin 2025, raporti i borxhit publik zbriti nën nivelin 53% të PBB-së, ndërsa performanca e të ardhurave buxhetore u mbështet nga aktiviteti ekonomik dhe përpjekjet kundër informalitetit. 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat